At Gjergj Fishta, lindi si sot 151 vjet më parë dhe banoi në këtē shtëpi që ndodhet mbi një kodrinë në fshatin Fishtë të Zadrimës.
Shtëpia Muze e At Gergj Fishtës, në Fishtë të Lezhës mbetet një nga objektet më të çmuara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ajo është një muze që dëshmon për veprën e pazëvendësueshme te Fishtës në historinë e kombit shqiptar. Kjo godinë e cila mban statusin monument kulture, është vendi ku poeti i madh kaloi periudhën e hershme të jetës së tij.
Studimet e para i kreu në seminarin Françeskan të Shkodrës dhe më pas në seminarin e Troshanit ku u shfaqen edhe shkëndijat e para të talentit të tij poetik. Studimet e mëtejshme i mori në Bosnje.
Fishta i madh është themelues i Shoqërisë ‘Bashkimi’ në Shkodër (1899), që punoi për shqipen e përbashkët, fjalorin, alfabetin dhe botoi libra me vlerë kombëtare, kryetar i Komisionit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit(1908).
Më 1913, ai themeloi revistën e njohur, “Hylli i Dritës”, një nga revistat më të njohura të kulturës shqiptare për kohën, më të cilën bashkëpunoi deri në vdekje.
Biografia e kolosit shqiptar
Lindur në 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, Gjergj Fishta ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.
Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi. Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara.
Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.
Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane ‘Hylli i Dritës’, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë.
Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës ‘Posta e Shqypniës’, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. +Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro-hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të marrë vendim mbi çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Në gusht 1919, Gjergj Fishta ishte Sekretar i Përgjithshëm i Delegacionit Shqiptar, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin.
Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik e, sidomos, si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta.
Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumanshme dhe autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në kryesisht me kryeveprën e tij epike, ‘Lahuta e Malcís’ duke u pagëzuar si “epiku më i madh i shekullit”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit 20.
Lahuta është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare, e shkruar ndërmjet viteve 1902 e 1909, u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Vepra e tij e bëri të pavdekshme gegnishten, të cilën me aq dashuri e ka shkruar. Ndër botimet kryesore të At Gjergj Fishtës mund të përmenden edhe “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), etj. Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator. Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare.
Me veprat satirike “Anzat e Parnasit” e “Gomari i Babatasit” u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqipe. Dy librat e lirikave “Mrizi i Zanavet” e “Vallja e Parrizit”, shqiptojnë tendosjen shpirtërore që ushqehet nga dashuria, revolta e dhembja për të kurorëzuar tematikën e vet në formulën e përsëritur “Atme e Fé”. Një kërkim të vazhdueshëm e bëri në fushë të dramatikës, që nga melodrama e deri te tragjedia, ku mbeten vepra që kujtohen “Juda Makabé” e “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”.
Fishta është i njohur me esetë e studimet për çështje të etnopsikologjisë e të kulturës tradicionale shqipe, për probleme estetike të artit dhe për kulturën autentike shqiptare. Dallohet parathënia e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në të cilën bën një tipologji të kulturës shqiptare në gjirin e kulturave të tjera botërore.
Fishta shkroi një tip të veçantë të prozës, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim dëshmues dhe komentues, pra eseistik. Gjergj Fishta me veprën e vet krijuese kërkonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm dhe u bë një moralizator i madh. Në këtë mënyrë lidhi dy periudha të letërsisë shqipe duke u bërë protagonist i të dyjave.
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’.
Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze “Foennix” nga qeveria greke, është nderuar me titullin “Lector jubilatus honoris causae” nga urdhri françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939.
Ai është dekoruar edhe me Urdhërin “Nderi i Kombit”.







