Sot përkujtohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda dhe më tragjike të luftës në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një plagë e pashëruar në kujtesën kolektive të qytetarëve.
Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga formacione paramilitare, ndërmorën një ofensivë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku u vranë 45 civilë shqiptarë të paarmatosur. Vrasjet u kryen në mënyrë brutale, duke shkaktuar tronditje të thellë si brenda Kosovës ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar.
Ngjarja mori jehonë botërore pas deklaratave të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi vizitoi vendin e krimit dhe pa trupat e viktimave, e cilësoi masakrën si krim të rëndë kundër njerëzimit. Reagimi i tij u bë një pikë kthese në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për dhunën sistematike ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Masakra e Reçakut u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment vendimtar që ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimet e mëvonshme politike dhe ushtarake, duke kontribuar në fundin e luftës.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite përkujtimore, sot pritet të bëjnë homazhe krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, si dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Homazhe do të zhvillojë gjithashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.






