Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme shtyrjen e afatit të dokumenteve të qytetarëve shqiptarë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që të votojnë më 14 maj, ndonëse dokumenti i tyre ka skaduar aktualisht, ose mund të skadojë deri në datën e zgjedhjeve. Çuçi tha se një vendim i tillë është marrë pas konsultimit me KQZ, por edhe duke parë edhe numrin e madh të dokumenteve të identitetit që kanë skaduar.
“Miratuam në Këshillin e Ministrave vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve që skadojnë më 14 maj. Shtyrje që vjen si rezultat i konsultimit të KQZ që mbart shqetësimin e partive politike. Duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që skadojnë ose kanë skaduar vendosëm që ta shtyjmë afatin, në këtë mënyrë të gjithë shtetasit mund të votojnë më 14 maj, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit ka skaduar”, tha Çuçi,
Ministri u pyet edhe në lidhje me kompaninë publike, “IdentiTek”, e cila nga korriku pritet të marrë në dorë prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Çuçi tha se ende nuk ka një vendimmarrje sai takon çështjes së çmimeve, por duke qenë se do të kalojë në dorën e shtetit, Çuçi tha se janë më fleksibël për të ndryshuar çmimet dhe do shohin në vijim hapësirat që mund të krijohen për të ulur çmimin e kartës së identitetit.
I pyetur nëse Vetingu ndaj policëve ka lidhje me zgjedhjet vendore, Çuçi e mohoi të ketë lidhje. Ai u shpreh se procesi vijon sipas ligjit.
“Vettingu në polici është pezulluar kohë më parë, me ligj. Ne, morëm kohën e duhur për ta ribërë ligjin dhe për ta ndryshuar.
Nuk ka lidhje me zgjedhjet sepse është një proces që vijon sipas ligjit. Ne bëmë publike edhe shortin që u hodh”- tha Çuçi.