Një mbrëmje e mbushur me emocione dhe krenari, ishte ajo e diplomimit të studentëve të universitetit “Luigj Gurakuqi”. 1314 studentë ishin pjesë e kësaj ceremonie në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku 750 u diplomuan në programet Bachelor, 77 në programet profesionale, 19 në programin e integruar të Drejtësisë, dhe 468 në nivelin Master Shkencor dhe Profesional. Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, vlerësoi rolin e arsimit publik si një bazë e fortë për zhvillimin e shoqërisë dhe theksoi se diploma nuk është fundi, por fillimi i një udhëtimi të ri në rrugën e dijes dhe kontributit qytetar.
Në emër të Bashkisë së Shkodrës, Nënkryetari Rudin Beka vlerësoi universitetin si një shtyllë kyçe të identitetit qytetar dhe theksoi përmirësimin e vazhdueshëm të jetës studentore falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionin e arsimit të lartë.
Pjesë e kësaj mbrëmjeje ishte edhe politikani Dritan Abazović, kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar në arsim dhe kulturë, si një urë që forcon lidhjet mes popujve dhe brezave të rinj.
Prof. Mirjeta Beqirit, ish-pedagoge e Fakultetit Ekonomik dhe aktualisht pjesë e stafit akademik në Gonzaga University, SHBA dhuroi çmime monetare për studentët ekselentë, duke dëshmuar lidhjen e thellë shpirtërore me universitetin dhe qytetin e saj.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të dijes në vend, një tempull që jo vetëm formon profesionistë të së ardhmes, por edhe qytetarë të denjë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të ditur dhe më të përparuar.