Ballina Aktualitet 12 vite pa klerikun që riktheu lirinë e besimit, dom Simon Jubanin

12 vite pa klerikun që riktheu lirinë e besimit, dom Simon Jubanin

Si sot, më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, prifti që sfidoi regjimin ateist të komunizmit dhe me kremtim të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrmajit të Shkodrës, më 4 nëntor 1990, sanksionoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Prifti shkodran dom Simon Jubani, qe ndërgjegjja e Kishës katolike dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist. Eshtë një nga njerëzit e meshtarët katolikë shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgjet komuniste duke qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme, të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore dhe identitetin kombëtar as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.

Kështu mund të pohojmë se pikërisht kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist ateist e ndaloi lirinë fetare, ushtrimin e kremtimin e riteve liturgjike dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990, në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtërore Hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë.

Kështu, dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi e i dha hov fitores së lirisë dhe fuqi e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Sot, pra, e kujtojmë ditën e kalimit në amshim të dom Simon Jubanit, njërit ndër protagonistët e pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste.

Biografia: 

U lind në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare filloi Shkollën Apostolike të jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike, në mars të vitit 1946 kaloi në Gjimnazin e Shtetit. Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs radio-rontgen. Pasi punoi për pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, u mobilizua në ushtri. Në krye të tri viteve u kthye në Shkodër, ku iu paraqit Imzot Ernest Çobës dhe iu lut ta shuguronte meshtar, por ai e këshilloi të priste. Rifilloi punë si radiolog në Sanatoriumin e Shkodrës.

Në vitin 1957-‘58 mori urdhërat e meshtarisë dhe u dërgua në Mirditë si famullitar, ku dhe u arrestua. Bëri 26 vjet burg. U lirua më 13 prill 1989 bashkë me klerikë të tjerë, në sajë të perestrojkës. Më 4 nëntor 1990 kremtoi të parën meshë publike, në kapelën e djegur të varrezave të Rrëmajit, në prani të 200-300 besimtarëve. Më datë 11 të po atij muaji, gjithnjë në kapelën e Rrëmajit, kremtoi dhe meshën e dytë publike, këtë herë me një fjalim të mirëpërgatitur, programatik, që thyente heshtjen 24 vjeçare. Më 11 korrik 1992, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni i akordoi diplomën «Doctor Honoris Causa» në shkenca humane. Në korrik 1996, shteti i Miçiganit e nderoi me diplomë të posaçme. Ndërroi jetë më 12 korrik të vitit 2011, në spitalin e qytetit të Shkodrës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks