NEWSPOWER.AL ka siguruar fotot e arrestimit të Hamza ( Erzen) Ukës dhe Julian Cumrakut, të cilët iu dorëzuan forcave RENEA dje pas 12 orësh negociata ndërsa ishin fshehur në një banesë në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit. Të dy mendohet se qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 2 muajsh. Uka ka qenë ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, dhe është i njohur për policinë për veprime ekstremiste. 

Policia, në një njoftim zyrtar, zbardh dinamikën e ngjarjes. Dyshimet nisën pas një kontrolli në terren rreth orës 09:00, ku njëri prej tyre, pasi ka parë efektivët, është larguar me shpejtësi duke hyrë në një banesë të braktisur. Policët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por ka refuzuar dhe i ka kërcënuar. 

Më pas, me ndërhyrjen e forcave RENEA, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale. Pas 12 orësh negociata dhe me thirrjet e familjarëve të tyre, ata janë dorëzuar. Kur është dorëzuar, thotë policia, Erzen Uka kishte një dëmtim në kofshën e djathtë, dhe është dërguar në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas dorëzimit, u ushtrua edhe një kontroll në banesë, ku u gjetën 5 armë, 4 automatike dhe 1 pistoletë, një flamur i ISIS i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të zjarrit, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse e dy gëzhoja.

Policia thotë se 35-vjeçari Erzen Uka u arrestua për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, ndërsa 34-vjeçari Julian Cumraku me akuzën e vjedhjes dhe kanosjes. Materialet në Prokurori janë referuar për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit. Uka, ish-pjesëtar i Forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak u dënua në vitin 2020 nën akuzën e nxitjes terroriste. Në vitin 2015, ai u arrestua për përgatitjen e fëmijëve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.

Ndërsa Julian Cumraku, babai i një vajze, ka qenë emigrant në Francë, me precedentë të mëparshëm penal dhe i konsideruar si person i rrezikshëm për shkak të dinakërisë që e karakterizonte. Madje, në kontaktet e rralla me banorët e fshatit, ai u thoshte se i njihte, duke iu cituar edhe emrat, me qëllim t’i vinte nën presion që të mos flisnin.

Erzen (Hamza) Uka është i njohur për policinë. Ai ka qenë komando dhe ka shërbyer në Irak dhe Afganistan. Në Prill të vitit 2019, u arrestua nga Antiterrori pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtes me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Uka konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, dhe survejohej prej vitit 2007.Në shtator të vitit 2020, ai u dënua me 3 vite burg nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Pas arrestimit, Uka kërcënoi asokohe edhe gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beci, duke i paralajmëruar se do të japin llogari sapo ai të dalë nga burgu. Ai u arrestua pasi publikonte video në Facebook me përmbajtje ekstremiste si dhe stërviste fëmijët me qëllim për t’i dërguar si luftëtar të ISIS.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu