Tre muaj e gjysmë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, togat e zeza ankohen se asgjë nuk ka ndryshuar. Nënkryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e sigurisë dhe ambientet e pamjaftueshme. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha theksoi se kërkesat për shtim të pranisë së policisë në ambientet e gjykatës kanë qenë të vazhdueshme, po deri tani kjo kerkesë ka rënë në vesh të shurdhër.
“Do të mjaftonin 60 punonjës policie vetëm për Gjykatën e Tiranës. Kërkojmë të paktën nga dy ose tre polic për çdo kat. Godinat e gjykatave, ku ruhen prova të rëndësishme, pasdite i ruan Zoti”,- tha Hoxha. Hoxha tregon edhe një rast, kur për një skander është dashur ndërhyrja e një institucioni tjetër.
“Nuk kishin skaner. Mezi e siguruam me ndërhyrjen e Agjencisë se Pasurive te sekuestruara”,- tha Hoxha.
Përveç sigurisë, një tjetër problem madhor mbetet mungesa e ambienteve. Aktualisht, Gjykata Penale e Tiranës operon vetëm me tre salla gjyqi, ndërkohë që kërkesat për buxhet janë miratuar vetëm në masën 10%.
“Nevoja për ambiente është ulëritëse”,- shtoi nënkryetari i Gjykatës së Tiranës.
Hoxha u ndal edhe te ngarkesa e madhe e dosjeve dhe vonesat në shqyrtimin e çështjeve. Aktualisht, Gjykata e Tiranës funksionon me 55 gjyqtarë nga 80 që ka në organikë, çka ndikon drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe pritjen e gjatë të qytetarëve për drejtësi.






