Në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit dhe studiuesit të shquar Martin Camaj, Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër organizoi aktivitetin përkujtimor, ku u nderua jeta dhe trashëgimia e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Prof. Xhahid Bushatit, solli kujtime personale dhe pjesë nga korrespondenca me Martin Camajn, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe mendimit të tij intelektual.
Studiuesja Dr. Brikena Smajli mbajti kumtesën me titullin “Tri ndërmendje për Martin Camajn”, duke ofruar një qasje reflektuese mbi ndikimin e veprës së tij në letrat shqipe dhe mendimin kritik bashkëkohor.
Mbrëmja u bë më e vecantë nga interpretimet artistike të trupës së Teatrit “Migjeni”, ku aktorët Mirjam Bruçeti, Agron Dizdari, Drande Xhaj, Merita Smaja, Astrit Fani dhe Arjola Zadrima sollën fragmente poetike dhe prozaike nga krijimtaria e Camajt. Në ambientet e bibliotekës u hap gjithashtu një ekspozitë me botime të rralla të autorit, duke nxjerrë në pah jo vetëm përmbajtjen e tyre të vyer, por edhe rëndësinë dokumentare dhe bibliografike. Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 1925 dhe ndërroi jetë në Mynih në vitin 1992. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe albanologjisë shqiptare të shekullit XX. Veprat e tij, si “Djella”, “Rrathë”, “Karpa”, “Lirika të hershme”, mbeten gurë themeltarë të letrave shqipe në diasporë dhe frymëzim për brezat e rinj të krijuesve.