“Saga e një artisti” është filmi dokumentar kushtuar kompozitorit, poetit dhe përkthyesit Zef Lekaj, që u shfaq në 100 vjetorin e lindjes së tij në qëndrën rinore Arka të Shkodrës. Me regji të Marviks Shantojës, ky film na sjell jetën e autorit të këngës së famshme për fëmijë “Qingji i vogël” si dhe tekstshkruesit të “Kur perëndon dielli”.
Leon Lekaj, i biri i artistit thotë se ky është një përkujtim e ndërmarrë nga familja, pasi Zef Lekaj si në diktaturë dhe sot vijon të jetë i persekutuar dhe lënë në harresë nga autoritetet.
Ai tregon edhe punën që ju është dashur të bëjnë si familje për të mbrojtur krijimtarinë e babait.
Zef Lekaj u lind më 7 korrik 1924 në qytetin e Shkodrës. Ai vinte nga një familje me origjinë nga Traboini i Hotit. Ndjek kolegjin saverian, ku merr edhe mësime muzike. Talenti dhe puna e tij në këtë fushë bëjnë që t’i besohet kori i shkollës. Në këtë kohë nisin kompozimet e para. Në vitin 1946, duke mos qenë dakord me vendosjen e komunizmit, merr pjesë në Lëvizjen e Postribës, pas së cilës detyrohet të arratiset në Malin e Zi, ndërsa i vëllai, dënohet. Rikthehet pas 13 muajsh dhe pasi kryen ushtrinë, vendoset në Shkodër si shef muzike në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”. Në vitin 1964, transferohet me familjen në Kuçovë, atë kohë Qytet Stalin, ku nis punë në Pallatin e Kulturës dhe i jep qytetit të vogël një hov të madh artistik, duke arritur të fitojë edhe çmimin e parë të festivalit të ansambleve. Tri ditë para se të dilte në pension, më 4 korrik 1979, arrestohet publikisht në një mbledhje të frontit demokratik në Kuçovë. Dërgohet në burgun e Beratit. Pas 6 muajsh hetuesi, në gjyq e akuzojnë për besimin fetar apo librat e Gjergj Fishtës dhe Dostojevskit. Dënohet me 10 vjet burg dhe transferohet në burgun e Burrelit. Ndërron jetë në vitin 1999. Ka marrë titullin “Krenaria e qytetit” në Shkodër dhe “Qytetar nderi” në Kuçovë, ku një rrugë mban emrin e tij.