Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua një takim i veçantë, ku Kryetari i Qarkut, Edmond Ndou, dorëzoi si dhuratë 100 kopje të dy botimeve përfaqësuese të trashëgimisë dhe kulturës së Qarkut Shkodër: “Guida Turistike e Shkodrës” dhe “Tingujt Folklorik të Qarkut Shkodër”. Dhurimi ju bë në mënyrë simbolike Rektorit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili vlerësoi gjestin si një kontribut të çmuar në pasurimin e fondit akademik dhe në promovimin e vlerave kulturore e turistike të rajonit.
Në fjalën e tij, kryetari i qarkut Ndou u shpreh se synimi i këtij gjesti është të afrojë më shumë institucionet lokale me universitetin dhe të nxisë brezat e rinj të studiojnë, të ruajnë e të promovojnë pasuritë natyrore, kulturore dhe folklorike të Shkodrës dhe gjithë veriut të vendit.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të stafit të Këshillit të Qarkut Shkodër, që kanë qenë pjesë e punës për realizimin e këtyre botimeve, si dhe pedagogë të Departamentit të Gjeografisë dhe Turizmit, të cilët theksuan rëndësinë e materialeve të tilla si mjete praktike për studime dhe kërkime shkencore. Ky bashkëpunim është një shembull i mirë i lidhjes mes institucioneve publike dhe botës akademike, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor e turistik të rajonit. Në fund Ndou dhe Gjuraj shkëmbyen dy dhurata simbolikes mes tyre, simbolin e universitetit dhe portretin e patriotit “Luigj Gurakuqi”!