Më 10 shkurt, bëhet fiks 1 vit që prej arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që çështja në ngarkim të Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë të kalojë për gjykim. Vendimi final mësohet se është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa Veliaj nuk ka qenë i pranishëm.

Tanimë pritet të shohim kush do të jenë tre gjyqtarët (përcaktohen me short elektronik) që do të dëgjojnë argumentet e prokurorëve të posaçëm, ndërsa në krahun tjetër do të jetë Veliaj, të pandehurit në këtë dosje bashkë me avokatët e tyre. Me gjasë, brenda një harku kohor 2 ose 3 javë, do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore. Secili i pandehur do të ketë listën e dëshmitarëve, argumentet e mbrojtjes etj.

Më herët, mbrojtja ka pretenduar se janë 60 mijë faqe që duhen analizuar. Nuk kanë munguar përplasjet mes palëve në sallën e gjyqit, aq sa kryebashkiaku depozitoi pranë një kërkesë zyrtare pranë GJKKO-së për përjashtimin e gjyqtares Deda nga çështja penale ndaj tij. Mirëpo, kërkesa e tij u rrëzua me argumentin se “nuk ka shkak të ligjshëm”.

Për seancën gjyqësore të 2 shkurtit, pretendohej se i Veliajt i ishte mohuar e drejta për një mbrojtje efektive, në kundërshtim me parimet themelore të procesit të rregullt ligjor. Sipas mbrojtjes së tij, edhe vetë avokatja e caktuar nga gjykata nuk ka pasur mundësi reale për t’u njohur me materialet hetimore, as për të komunikuar me klientin e saj në mënyrë të plotë.

Vetë Veliaj, ka bërë kërkesë vazhdimisht që të njihet me provat dhe faktet përmes një laptopi në ambientet e paraburgimit në Durrës, për pesë veprat penale që i atribuohen. Kryebashkiaku u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025,  i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu