Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për Sistemin e Mbrojtjes Civile dhe menaxhimin e emergjencave, duke parashikuar fonde të posaçme për parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore në buxhetin e vitit 2026.

Në zbatim të ligjit nr. 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh në formën e transfertës së kushtëzuar, i cili ndahet në 500 milionë lekë për investime dhe 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve të prekur nga zjarret apo përmbytjet.

Paralelisht, 1.5 miliard lekë do të përdoren për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa 300 milionë lekë janë dedikuar për projekte në digat dhe rezervuarët.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, fondet e parashikuara synojnë rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, garantimin e kompensimit për familjet e prekura, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen.

Ministria thekson se mbetet e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të Sistemit të Mbrojtjes Civile dhe në koordinimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një reagimi më të shpejtë dhe më efikas ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu